Gjoni: Luajmë në Europë prej licencimeve, Laçi është ndërtuar për të qenë mes më të mirëve

Kategoria Superiore uli siparin ditën e djeshme me Laçin që e mbylli sezonin me një humbje në transfertë megjithatë, kurbinasit kanë besim se skuadra e tyre do të luajë në Ligën e Europës edhe pse renditet e gjashta. Këtë e ka pranuar në një intervistë për “VipSport.al”, mbrojtësi Eglentin Gjoni i cili ka qenë një nga më të dalluarit te kurbinasit këtë sezon.

Shtatlarti i mbrojtjes që me bardhezinjtë ka luajtur të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, foli edhe për problemet që kurbinasit kanë hasur ndërkohë që pranon se objektiv ishte Europa dhe duke parë renditjen mund të konsiderohet një vit jo i mirë.

Egli e mbyllët sezonin në vendin e gjashtë. Çfarë ndodhi me Laçin këtë sezon?
Në gjysmën e parë të sezonit ishim brenda objektivit dhe gjithçka ishte në rrugën e duhur. Pjesa e dytë e sezonit ishte jo e mirë pasi ekipi nuk arriti të shprehte shumë në fushë gjë që ndikoi në rezultate.

Jemi mësuar të shohim një Laç agresiv që i hap probleme çdo kundërshtari por jo sivjet. Ku ka çaluar skuadra këtë sezon dhe çfarë ka ndikuar?
Ajo që sapo përmendët është e vërtetë pasi skuadra humbi agresivitetin që e ka karakterizuar me vite. Besoj se skuadra ka kaluar një ngërç psikologjik, e kushtëzuar edhe nga dëmtimet e shumta ku ka pasur shumë rotacion në formacione.

E konsideroni pozitiv apo negativ sezonin duke parë klasifikimin?
Duke parë që ekipi u ndërtua për të bërë gjëra të mëdha për të qenë në treshen e parë, mendoj se nuk ishte viti i suksesshëm.

Vendi i gjashte të lë jashtë Europës por ende nuk janë publikuar licencimet. A besoni se mund të luani në Europë?
Me çfarë kemi dëgjuar, ekipet e tjera nuk janë të licencuara, dhe shpresojmë që edhe pse në vendin e gjashtë të marrim pjesë në Europë.

Me çfarë note e vlerëson paraqitjen personale dhe çfarë duhet të bëje më mirë?
E mira nuk ka fund por besoj se do bëja mirë nëse do të shënoja 3-4 gola të tjerë për të ndihmuar skuadrën (qesh).

Ku do e shohim Eglin sezonin e ardhshëm?
Për momentin jam duke shijuar këto ditë qe kemi pushim. Për të ardhmen do shohim në vazhdim. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories