Gjoka: Ndeshja më e shëmtuar dhe nuk e kisha menduar, ndaj Partizanit me tjetër fytyrë

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka u shpreh i zhgënjyer për humbjen që skuadra e tij pësoi në Kamëz ndaj Skënderbeut. Ai tha për ‘Supersport’ se ishte ndeshja më e shëmtuar të cilën nuk e kishte menduar ndërkohë që shtoi se ndaj Partizanit do të ketë një tjetër fytyrë skuadra në fushë.

“Ishte ndeshja më e shëmtuar dhe nuk e kisha menduar kurrë. Nëse ndryshojmë marsh dhe kuptojmë se kampionati nuk ka mbaruar dop të shkojmë para. Mbaj përgjegjësi pasi duhet të kërkoja më shumë motivim dhe të bëja futbollistët të kuptonin se sa shumë rëndësi kishte kjo ndeshje.

Në fushën e lojës ndodhi që nuk bëmë detyrat siç duhet dhe në momentin që nuk i realizon, kundërshtari të dënon. Ishte një pjesë e parë e dobët dhe nëse nuk hyn me mentalitet fituesi, futbolli të dënon.

Ndeshja me Partizanin? Duhej kjo ndeshje patjetër për të mbajtur ritmin dhe për të qenë të motivuar. Më vjen keq që humbëm këtë ndeshje por javën që vjen kemi tjetër ngjyrë. Sot morëm shuplakë dhe javën tjetër kemi ndeshje tjetër dhe do të jemi ndryshe në fushë. Do të jetë Kukësi që të gjithë njohim.

Ndeshja e Kupës? Ishin dy ndeshje me tablo të ndryshme. Në Kupë bëmë ndeshje deri në perfekte kurse sot jo. Ato dy ndeshje që fituam na vunë në gjumë dhe nëse nuk jemi të motivuar, nuk e kemi të lehtë.

Mos-rinovimi i kontratës? Nuk mendoj se ka ndikuar pasi duhet të tregoheshim më të uritur sot dhe kjo ndikoi”, tha Gjoka. /VipSport.al/