Gega: Titulli u dedikohet gjithë brezave të Partizanit, bëmë atë që dëshironim të gjithë

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, gjatë emisionit “E diell” në “Top Chanel”, ka theksuar se titulli kampion u dedikohet të gjithë brezave të këtij ekipi, që sipas tij, kanë vënë nga një tullë në atë që ky klub është sot:

“Është një titull, që u dedikohet të gjithë brezave të Partizanit, ish-trajnerë dhe ish-lojtarë. Të gjithë kanë vënë një tullë për Partizanin dhe ne sot jemi të gjithë krenarë për këtë ekip.

Ishte një titull i arritur falë punës së të gjithëve. U ndjemë të gjithë si një familje e madhe dhe secili, si në kohë të vështirë, mbajti peshën e vet dhe ndihmuam njëri-tjetrin. Arritëm të bënim atë që dëshironim të gjithë.

Trashi dhe Telushi “të përkëdhelur”? Çdo lojtar është i veçantë për atë që përfaqëson. Të gjithë kanë vlera si sportistë dhe si njerëz. Familja ime sot është shumë e madhe, janë gjithë këta djem. Kur erdhi triumfi, nuk dija kujt t’ia dedikoja më parë, vrapova në fushë dhe doja t’i përqafoja të gjithë, por sigurisht që familja është e veçantë, është e shenjtë”, – tha mes të tjerash trajneri i të kuqve, Skënder Gega. / Vipsport.al