Gega: Po punojmë për grupin e Champions, aktivizuam të rinj pa presionin e rezultatit

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega u shpreh pas humbjes ndaj Teutës se skuadra e tij luajti pa presionin e rezultatit. Ai pranoi se ka nisur puna për Ligën e Kampionëve dhe në një prononcim për “Supersport”, Gega tha se kritikat i pranon nga të gjithë.

“Kemi punuar gjatë gjithë javës që ky grup të aktivizohej, t’u jepej hapësira se nuk kanë pasur mundësi. Kemi aktivizuar edhe të rinj me moshë shumë të re, jam i kënaqur me pjesën e parë. Mendoj se u goditëm te një lojtar i ri. Ishte ndeshje jo në presionin e kampionatit, me një ekip që kërkon të marrë maksimumin. Kjo nuk është nënvlerësim i kampionatit, por qëllimi ynë është t’u japim hapësirë të rinjve, pa dalë nga formati ynë, sidomos në pjesën e parë.

Gradualisht në këto ndeshje që kanë mbetur, edhe gjatë stërvitjes do të mundohem të jemi të kujdesshëm për të bërë grupin final për Champions dhe të ardhmen. Nuk i krijuam presion dhe i lamë të lirë të luajnë, nuk i vumë nën presionin e rezultatit. Por do të jemi të kujdesshëm dhe do të mundohemi të jemi të saktë me përzgjedhjen e afrimeve e largimeve, dua të respektoj sa më shumë grupin aktual por na del punë të madhe në të ardhmen.

Është e drejta e kujtdo të më kritikojë, jam i pari i shtëpisë dhe jam munduar që të trajtoj të gjithë njëlloj që nga dita e parë. Është pyetur çdo javë për lojtarë pse nuk kanë hapësirë. Nuk ka hapësirë më të përshtatshme se të luajnë pasi kam ngritur trofeun. Jam i kënaqur që një grup lojtarësh që kanë punuar, të kenë kënaqësinë të luajnë. Ne luajtëm kundër Teutës, ajo deri në fazën e katërt ishte pretendent, është folur edhe si fituese e mundshme e kampionatit, disnivelet nuk janë të mëdha. Arsyeja e një pjese të madhe që luajtën sot se pse nuk aktivizoheshin është disniveli me pjesën tjetër, prandaj nuk kanë pasur hapësira”, tha Gega. /vipsport.al/