Gega: Jam dashuruar me këtë grup por mund të ketë ndryshime, emocioni më i madh në derbi

Skënder Gega mendon se tashmë skuadra e tij ka të drejtë të gëzojë disa ditë një titull kampion të fituar me shumë mund e lodhje. Trajneri i Partizanit, në fjalët për “SuperSport”, deklaroi se ekipi kishte bërë më të mirën në këtë sezon por paralajmëroi se mund të kishte largime gjatë verës.

“Besoj qe e kemi arritur duke qenë bashkë klubi, trajneri e lojtarët dhe sot duhet të festojmë se është festë e lumturi për mua e tifozët për të gjithë klubin.

Në një familje jo gjithmonë mund të përfundohet një projekt dhe ndoshta në të ardhmen mund t afrohen lojtarë, Duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm që kush vjen të bëjë diferencën me këta që kemi, unë e kam thënë që jam i dashuruar pas këtij grupi dhe do të dëshiroja të vazhdoja me të. Por natyrisht klubi ka projektet e veta edhe ekonomike, dikush mund të largohet, mund të shkojë jashtë Shqipërisë të bëjë progres në karrierë. Do ulem me klubin dhe pa u ngutur të bëjmë më të mirën për klubin dhe të ardhmen, se ndoshta vitin tjetër është dyfish më i vështirë se do hyjmë si kampion e të gjithë do luajë më fort kundër kampionit.

Fitorja karshi Tiranës në derbi në ndeshjen e fundit ka qenë gëzimi i madh, Viti 1987 është kohë shumë më parë, isha vetëm 24 vjeç. E mbaj mend si sot por kishte lodhje tani më tepër. Unë i jam mirënjohës çdo njeriu që ka bashkëpunuar me ne. Ka qenë emocion i jashtëzakonshëm edhe sot, edhe pse kishim siguruar trofeun. Isha i emocionuar, doja të fitoja e ta mbyllja me fitore e për fat shkuan gjërat normalisht e përshëndes Kukësin e çdo koleg për një vit të mbarë dhe suksese. Mendoj se shumë shpejt do të kalojë euforia e trofeut dhe do të mendojmë për të ardhmen të organizohemi sa më shpejt se sfidë e gjatë na pret. Duhet të sillemi sa më mirë ndaj mediave, tifozëve, arbitrave që të japim mesazh të qartë që ky sport na lumturon edhe nëse nuk dalim kampion.

Për asnjë moment, në asnjë rast nuk kam pasur ndërhyrje. Për fat të mirë kjo ka qenë ajo që ka funksionuar. Ishte natyra e presidentit dhe drejtorit që kemi respektuar pozicionet tona dhe ka shkuar gjithçka mirë. Në raste të veçanta është diskutuar si mund të shkohet më mirë, ka pasur bisedë, por pa pasur asnjëherë presionin që në shumë raste, sidomos në Shqipëri, i tejkalojnë kompetencat. Kam qenë me fat dhe më ka ndihmuar ndoshta shumë që nga klubi e hierarkia. Në asnjë rast e moment në kohë të vështira nuk është diskutuar vendimi im. Nuk jemi perfekt, por kur shihet që qëllimi është i mirë, i kemi dhënë secilit atë që e meriton, forcohet grupi dhe shkojnë gjërat siç e dimë e tani jemi kampionë të Shqipërisë.

Në futboll në momente që duket se është e lehtë dhe e kalueshme, mund të ngecësh e të vësh në dyshim punën që ke ndërtuar. I gjetëm forcat e ky është sekreti te ajo që kemi pas, jemi kritikuar për ndonjë mungesë spektakli, nuk kemi bërë shumë gola por kemi gabuar më pak dhe jemi 13 pikë larg ndjekësve. Besoj se merituam e ka shkuar çdo gjë mirë”, tha Gega. /vipsport.al/