Gardiani Strakosha i pafat, humbet sërish grumbullimin me Kombëtaren

Thomas Strakosha ka qenë një nga më të dalluarit këtë sezon me skuadrën e Lacios, duke bërë paraqitje fantastike me kryeqytetasit, ku edhe shpesh herë ka qenë vendimtar në kampionat. Strakosha ishte i vetmi futbollist te Lacio që nuk kishte humbur asnjë minutë, deri në momentin kur u dëmtua në tendinën e Akilit.

Ky dëmtim i pësuar pak javë më parë, nuk ishte shumë serioz me Strakoshën që mungoi një ndeshje për të mos rrezikuar më shumë ndërkohë që në finalen e Kupës u rikthye në fushë por me injeksione. Kjo ka bërë që të pësojë një dëmtim më të rëndë dhe tashmë ka humbur edhe grumbullimin në Kombëtare.

Sipas “Supersport”, Strakosha nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjet ndaj Islandës dhe Moldavisë që luhen pas pak javësh për shkak se i duhen disa javë riaftësim. Vendin e tij në ekipin kombëtar do ta zërë portieri i Laçit, Gentian Selmani. /Erjon Allaraj-VipSport.al/