Gafë e rëndë e Ferrarit, Hemilton merr pole position me rekord  në Monako

Mercedes konfirmohet përsëri makina për t’u mundur, sidomos në pistën e ngushtë të Monako, ndërsa Ferrari është në krizë të plotë dhe dhuron gafa të pabesueshme. Luis Hemilton ka vendosur diktatin e tij edhe në provat zyrtare të sotme, me rekord në këtë pistë ku sigurisht nisja nga vendi i parë ka vlerë duke llogaritur se parakalimet janë thuajse të pamundura.

Britaniku vendosi edhe rekordin e ri të pistës me kohën që dhuroi sot, për të regjistruar pole position të 85-të në karrierë. Ai ndiqet nga shoku i skuadrës, Valteri Botas, dhe Maks Verstapen, i cili kaloi Sebastian Fetel me Ferrarin. Ky i fundit gaboi përsëri pasi në xhiron vendimtare u përplas lehtë me barrierat, aq sa duhej për të humbur shansin e artë që t’i afrohej britanikut e të tentonte mrekullinë në garë.

Por më keq nga të gjithë bëri Leklerk, i cili përfundoi jashtë që në pjesën e parë të kualifikueseve, pasi Ferrari gaboi në mënyrë amatore përllogaritjet kur duhej të dilte në pistë për të bërë një xhiro të shpejtë dhe nuk i dha mundësinë që të kalonte në fazën tjetër duke e renditur të 16-tin. Ai që e eliminoi ishte pikërisht Fetel, i cili ia doli në limite të kalonte në kualifikueset e dyta. /vipsport.al/