Gafa e FIFA-s në Kupën e Botës, nuk lejon të shoqëruarit të ulen pranë në stadium

Vera duket se nuk do të jetë një periudhë pushimesh për futbollin duke qenë se përveç merkatos që pritet të jetë shumë aktiv, edhe futbolli i luajtur do të vazhdojë. Në Francë, do të luhet Kupa e Botës për femra dhe interesimi i tifozëve ka qenë i madh për të blerë bileta dhe për të ndjekur nga afër këtë kompeticion madhor.

FIFA duket se nuk ka qenë shumë e qartë në lidhje me biletat dhe në printimin e tyre ka pasur probleme të shumta që lidhen me vendet në stadiume. Shumë tifozë kanë kërkuar bileta në radhë numerike në mënyrë që të kenë mundësi që të ulen pranë njëri-tjetrit në stadium duke blerë me dhjetëra bileta njëherazi.

Megjithëse biletat janë blerë të gjithë për njëherë, kanë ndryshime të shumta në vendet ku tifozët do të ulen dhe nuk e lejojnë partnerin që të ulet pranë pasi nuk ka një rend në printimin e tyre. Kjo ka sjellë shumë pakënaqësi te tifozët dhe vetë FIFA është shprehur se nuk mund ta rregullojë këtë problem. E vetmja zgjidhje, do t’i jepet prindërve të cilët kanë edhe fëmijë poshtë moshës 18 vjeç të cilët do të kenë një biletë ekstra dhe do të lejohen të qëndrojnë pranë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/