Fuqia e fjalëve të Zidan, francezi bind Iskon të qëndrojë në rol të pazakontë

E kërkon gjysma e klubeve më të njohura të Europës si titullar, por mesfushori spanjoll Isko ka vendosur që të mos braktisë Real Madrid, për të qenë zëvendësues në radhët e kësaj skuadre. Kaq e madhe është fuqia e Zinedin Zidan, sa që ka bindur lojtarin të sakrifikohet për këtë rol të ri në funksion të skuadrës dhe me objektivin për të fituar gjithçka në vitin e ardhshëm.

Sipas mediave spanjolle, mes palëve ka pasur pak ditë më parë një takim në ambientet e klubit ku trajneri francez i ka shpjeguar planin Iskos, ashtu si edhe i ka konfirmuar se nuk ishte një titullar fiks për edicionin e ardhshëm pasi do të provonte modul të ri loje.

Isko kërkohej mes të tjerash nga PSG, që ishte gati të bënte çmenduri për të siguruar kartonin e tij dhe i garantonte një rrogë shumë të lartë. Por futbollisti ka vendosur që të qëndrojë, duke i besuar verbërisht Zidan i cili e ka mbajtur gjithmonë si pjesë të rëndësishme të ekipit, duke i dhënë mundësinë të luante rregullisht dhe e aktivizoi në të tre finalet e Ligave të Kampioneve të fituara nën drejtimin e tij. Kjo e ka bindur më shumë mesfushorin sesa milionat që ofronte PSG dhe ka pranuar që të sakrifikohet në fillim si zëvendësues, për të tentuar të rifitojë vendin më pas në rreshtimin e ekipit në vijimësinë e sezonit të ardhshëm. /vipsport.al/