FSHF ul çmimet për Moldavinë, por përfitojnë më shumë tifozët VIP

FSHF kërkon që ndeshjen e parë të Edi Rejas para tifozëve shqiptarë ta zhvillojë me një prani të sa më shumë tifozëve, por çmimet e biletave që janë vendosur për të ndjekur takimin ndaj Moldavisë në “Elbasan Arena” më 11 qershor, mbeten përsëri të larta. Kësisoj, rrezikohet një stadium gjysëm i boshatisur, siç ka ndodhur vazhdimisht kohët e fundit.

Duke llogaritur që kundërshtari është Moldavia, një emër jo i madh, pritej që FSHF të bënte reduktime të çmimeve në krahasim me ndeshjen e fundit zyrtare që është luajtur në këtë impiant, atë ndaj Izraelit të shtatorit të kaluar. Ato reduktime kanë ndodhur, por më shumë kanë përfituar ato të tribunave VIP apo asaj kryesore, ndërsa çmimet e tifozëve të zakonshëm kanë pësuar një “prekje” të lehtë.

Kështu, biletat VIP kanë kaluar nga 18000 lekë në 12000 lekë, ata VIP2 nga 16000 lekë në 10000 lekë. Tribunat A dhe B kanë kaluar nga 10000, 8000 dhe 6000 në 6000, 5000 dhe 4000 lekë. Të gjitha sinjale se edhe në këto tribuna ka filluar eksodi masiv dhe FSHF e ka të vështirë tashmë të mbushë qoftë edhe tribunat ballore të cilat deri 3-4 vite më parë ishin plot për thuajse çdo ndeshje.

Çmimet e tribunave të tjera, ato ku ulen tifozët e zakonshëm, kanë pësuar rënie, por jo kaq të ndjeshme sa këto të tribunave “të zgjedhura” nga FSHF. Tribuna E ka kaluar nga 3000 lekë në 2000 lekë, ato F dhe D nga 2000 lekë në 1500 lekë, tribunat C1, C3, G1 dhe G3 janë tashmë 1000 lekë ndërsa vetëm dy tribunat qendrore pas portës, C2 dhe G2 kanë çmime normale për publikun e gjerë, duke kushtuar 500 lekë, nga 1000 që kushtuan në ndeshjen e fundit zyrtare që është luajtur në këtë stadium. /vipsport.al/