FOTO / Përkrah djalit të legjendës, Çekiçi zgjidhet në formacionin e javës

Endri Çekiçi është kthyer në këto javë në personazhin kryesor të skuadrës së Olimpija Ljubljanës ku po shënon me një rregullsi të admirueshme dhe ka qenë një nga futbollistët më të spikatur në fazën ofensive me 6 gola në 6 ndeshjet e fundit që ka luajtur.

Natyrshëm që me këto paraqitje, për futbollistin shqiptar nuk do të vononin edhe vlerësimet. Kështu, ai është përzgjedhur në formacionin ideal të kampionatit slloven të futbollit, duke qenë një ndër lojtarët më të spikatur me paraqitjen e tij. Për atë që dha në ndeshjen kundër Mura, ku shënoi golin e vetëm të sfidës në suksesin 1-0 , Çekiçi ka fituar një vend në rreshtimin më të mirë të javës.

Aty ai është përkrah disa emrave të njohur në futbollin slloven, ku spikat ai i Luka Zahoviç, djalit të legjendës Zlatko Zahoviç, i cili vlerësohet si një nga talentet më të mëdhenj në këtë vend dhe po ecën në gjurmët e babait të tij me fanellën e Maribor. /vipsport.al/