FOTO / Partizani në Champions, rivalët e mundshëm të kampionëve. Kujdes Shkëndijën!

Partizani është shpallur zyrtarisht kampion i Shqipërisë këtë javë dhe bëhet gati që të kthehet në Ligën e Kampioneve për të treguar vlerat e tij e përfaqësuar vendin tonë në arenën ndërkombëtare. Por ashtu siç pritej, përballë ka një pengesë shumë të madhe, atë të koeficientit ndërkombëtar të ulët, i cili aktualisht e rendit skuadrën e Skënder Gegës në vazon e dytë në short dhe e vë përballë me rivalë shumë të fortë.

Në një hulumtim të Vip Sport, kjo në foto rezulton të jetë ndarja e vazove për momentin në turin e parë të Ligës së Kampioneve, duke marrë parasysh emrat e skuadrave që janë shpallur kampionë në vendet përkatëse apo janë duke kryesuar në kampionatet ku nuk është dhënë ende verdikti i titullit.

Qartësisht, përballë Partizanit ka emra shumë të njohur të futbollit në kontinent, duke filluar nga Sëlltik për të vazhduar me BATE, Ludogorets, Rosenborg e Crvena Zvezda, pa harruar këtu Karabak e  Maribor, të gjitha skuadra që janë mësuar të luajnë në fazën në grupe të aktiviteteve ndërkombëtare në vitet e fundit.

Por UEFA zakonisht bën ndarje “territoriale” për shortin e turit të parë, për të evituar udhëtimet e gjata të skuadrave. Ndaj është thuajse e sigurt që Partizani do të evitojë përplasje me ekipe si ato britanike apo skandinave, por jo mes skuadrave lindore apo të rajonit tonë, ku duhet theksuar se në vazon e parë është edhe Shkëndija. Përballja me kuqezinjtë e Tetovës do të ishte padyshim një duel të cilin të dy skuadrat do të dëshironin ta evitonin në këtë pikë të turneut ku duan të provojnë shansin e tyre të ecin sa më shumë në aktivitet. /vipsport.al/