FOTO / Çuditë e Luftëtarit nuk kanë fund, protagonisti i stërvitjes është… një qen

Largimi i atyre që kontribuuan maksimalisht në këtë sezon për të garantuar qëndrimin e Luftëtarit në Kategorinë Superiore nuk ëshrë çudia e vetme në klubin gjirokastrit. Kjo shihej edhe më mirë në stërvitjen e djeshme, kur emrat e larguar nga klubi i zëvendësonte mes grupit të futbollistëve… një qen.

Në fushën stërvitore të Debviçanit, gjatë stërvitjes së djeshme vihej re se gjatë fjalimit që mbajti para skuadrës përgatitësi i portierëve, Jovan Mihajloviç, i “graduar” trajner i parë pas largimit të Ahmatajt e Novit, i pranishëm ishte edhe një qen. I familjarizuar me lojtarët, ai ishte shtrirë në këmbët e tyre gjatë mbledhjes dhe nuk ishte aspak çudi që në fund të këtij fjalimi, disa prej lojtarëve nuk ngurruan ta përkëdhelnin atë para se të fillonin ushtrimet e zakonshme të nxemjes.

Jo vetëm kaq, kur lojtarët filluan vrapimet në fushë për nxemjen, edhe qeni filloi të vraponte mes tyre. Padyshim diçka e çuditshme dhe e paimagjinueshme në klube profesioniste kudo në botë, por duke parë se si silleshin lojtarët e klubit gjirokastrit me qenin në fjalë, kuptohet qartësisht se për ta ky ka qenë “normaliteti” në këto muajt e fundit. /vipsport.al/