Formula 1/ Dominim i Hemilton dhe Mercedesit në Çmimin e Madh të Spanjës, Fetel zhgënjen sërish

Edhe këtë fundjavë është përsëritur e njëjta histori teksa skuderia Mercedes dhe dy pilotët e saj kanë dominuar nga fillimi në fund Çmimin e Madh të Spanjës. Gara e zhvilluar në Barcelonë, nuk rezervoi të papritura teksa në start ishin të pozicionuar në ‘pole position’ Valteri Botas dhe pas tij Ljuis Hemilton e Sebastian Fetel.

Mirëpo, edhe pse tentoi në start të bënte diçka, piloti gjerman i Ferrarit, Fetel humbi edhe pozitën e tretë teksa u parakalua nga Verstapen, i cili e mbylli në vendin e tretë. Në krye pati rokadë mes dy Mercedesve, ndërsa Hemilton mori kryesimin për të mos e lëshuar deri në fundin e garës. Edhe këtë sezon duket se Mercedesi ka një marsh më shumë se Ferrari dhe se gara do të jetë mes dy pilotëve të së njëjtës skuderi, Hemilton dhe Botas.

Pas Çmimit të Madh të Spanjës, britaniku Hemilton ka marrë kryesimin e kampionatit me 112 pikë ndërsa me 105 pikë renditet pas tij Botas. Në vendin e tretë të renditjes së përgjithshmë Vershtapen dhe vetëm në pozicionet 4 dhe 5 dy pilotët e Ferrarit, Fetel dhe Leklerk.

/EgiCabeli-VipSport.al/