Formacionet e mundshme/ Tirana dhe Luftëtari kërkojnë kualifikimin, shumë pak ndryshime

Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë gjysmëfinale të luajtur në Gjirokastër, Tirana dhe Luftëtari do të zbresin sot në fushë për të luajtur aktin e dytë të gjysmëfinales ku edhe do të njihet skuadra e parë e cila do të presë një biletë për në finalen e 2 qershorit.

Dy skuadrat duket se do t’u besojnë formacioneve me të cilat luajtën edhe në fundjavë, ndonëse me shumë pak ndryshime për shkak të lojtarëve të dëmtuar. Tirana pritet që të hedhë në fushë Grecën me  shumë mundësi që nga minuta e parë, duke zënë në këtë mënyrë vendin e Oduamandit që la skuadrën e tij me 10 lojtarë ndaj Skënderbeut për shkak dëmtimi. Në një sfidë si kjo me Luftëtarin ku synohet me çdo kusht kualifikimi, duke se  trajneri Mema nuk ka ndërmend që të rrezikojë. Daja pritet që të jetë mbrojtës i djathtë dhe në majë të sulmit të qëndrojë sërish Halili që është në balotazh me Ngo.

Luftëtari vjen në kryeqytet pa 4 titullarë e megjithatë e kërkon me ngulm kualifikimin. Mbrojtja duket me “firo”, por Ahmataj i ka gjetur zgjidhjet. Pa Hoxhën në mbrojtje i ka besuar shkodranit të ri Kukaj që në Durrës bëri një paraqitje të mirë e njëkohësisht, Mërgim Neziri do të jetë titullar në linjën e djathtë, në vend të Rapës, ndërsa Hyseni në mesfushë në vend të Ramadanit. Në vend të Maldin Ymerajt, edhe ky i dëmtuar pritet që të jetë titullar Realdo Fili, i cili po tregon një formë mjaft të mirë në Gjirokastër. /VipSport.al/