Flet legjenda e Napolit: Hysaj më i mirë se finalisti i Champions

Salvatore Banji, një emër i njohur për futbollin italian pasi ishte pjesë e Napolit që fitoi Kampionatin dhe Kupën në vitin 1987, mendon se Elseid Hysaj është më i mirë se Kiran Tripier, me të cilin mendohet se Napoli po negocion për të zëvendësuar mbrojtësin shqiptar.

Lojtari i përfaqësueses angleze, i cili aktivizohet me Totenhem, mendohet se është parimisht dakord për t’iu bashkuar klubit italian, nga i cili do të largohet në verë Hysaj. Por për Banjin, i cili aktualisht është opinionist sportiv në studiot televizive italiane dhe ndërmjetës transferimesh, vlera e mbrojtësit shqiptar është më e madhe se ajo e lojtarit të skuadrës finaliste të Ligës së Kampioneve.

“Sipas meje Hysaj mund të largohet. Ai është një futbollist për të cilin ka treg, jo për shifrën e klauzolës që kërkon presidenti, por për karakteristikat që ka mund të gjejë një ekip të rëndësishëm. Sipas meje mund të largohet për 30 milionë euro. Tripie? Për mua është më i mirë Hysaj”, tha Banji i cili në karrierën e tij ka luajtur 41 ndeshje me fanellën e Italisë. /vipsport.al/