Flet djali i presidentit të Napolit: Ka lidhje të ngushta vetëm me Rejan e Ançelotin

Edi Reja është një nga personat më të afërm në botën e futbollit për presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentis. Këtë e ka zbuluar djali i tij, Luixhi, i cili në një intervistë për “La Gazzetta Dello Sport” ku ka konfirmuar se babai i tij tashmë në këtë profesion prej drejtuesi, ka vetëm dy njerëz me të cilët ka lidhje shumë të ngushta dhe një prej tyre është tekniku aktual i Shqipërisë.

“Ne jemi menaxherë por jetojmë sidomos falë pasionit dhe babai im është më tifoz se të gjithë të tjerët. Babai im, në futboll, ka gjetur vetëm dy persona me të cilët ka një lidhje të vërtetë: Edi Reja dhe Karlo Ançeloti, me të cilin ndan edhe pasionet jashtë fushës së lojës”, tregoi djali i drejtuesit më të lartë të Napolit.

Para se të pranonte ofertën e FSHF-së për të drejtuar kuqezinjtë, Reja kishte qenë përgjegjësi për ndërtimin e sistemit të moshave të Napolit dhe prej dy vitesh po punonte për të rindërtuar akademinë e këtij klubi. Edhe vizita në Shkodër për ndeshjen me Turqinë ishte pjesërisht edhe si vizitë monitorimi për futbollistë që në të ardhmen mund të bëheshin pjesë e Napolit. /vipsport.al/