Flasin protagonistët kampionë, trajneri dhe shefi i klubit në ekstazë pas suksesit: Do kërkojmë edhe Superioren!

“Oreksi vjen duke ngrënë,” – thotë një fjalë e urtë popullore! Kështu ndodh edhe me pukjanët, siguruan ngjitjen në fundjavën e shkuar, sot u shpallën kampionë të Kategorisë së Dytë, ndërsa duan edhe Superioren vitin që vjen. Pas fitimit të trofeut si skuadra më e mirë e së dytës ku mundën në finale devollinjtë me penallti, duket se nuk përmbahen si zyrtarët ashtu edhe lojtarët e pukjanëve. Ja si janë shprehur ata pas ndeshjes finale luajtur sot në “Tofik Jashari” të Shijakut:

Dritan Frroku, shefi i klubit: “Arrita synimin e jetës, suksesi i dedikohet tifozëve dhe qytetit të Pukës”.

Oltion Kërnaja, trajneri i Tërbunit: “Jemi shumë të çliruar, objektiv i arritur ishte rikthimi por kupa dhe titulli na duhej si prestigj. Presidenti Gjon Gjonaj na ka mbështetur kam drejtuar djem shumë të mirë, të shkëlqyer. Ne jemi grup, s’ka individë, jemi një familje e madhe”.

Migel Metani, kapiteni i Tërbunit: “Jemi një grup shumë i mirë, tashmë jemi në Kategorinë e Parë dhe sezonin e ardhshëm do të jemi për në Superiore. Golin ja dedikoj babait tim që ma taksi golin sepse me tha që do të jetë një përballje që do të shkojë me penallti”.

Arvid Bregasi, mbrojtësi i Tërbunit: “Kam provuar finale kur luaja me Bylisin dhe u ngjitëm në Superiore, jam shumë i lumtur që realizoj një sukses në një klub shumë të mirë, me trajner shumë profesionist dhe me një president që na respekton. E merituam këtë trofe”,-tha mbrojtësi ballshiot i pukjanëve.

E.S./Vipsport.al/