Financohej nga trukues ndeshjesh në Azi, Bullgaria përjashton një nga skuadrat e elitës

Sinjalizimet e UEFA-s i kanë mjaftuar Federatës Bullgare të Futbollit për të përjashtuar nga kampionati i saj i elitës, Divizioni i Parë, skuadrën e FC Vereja e cila akuzohet për manipulimin e ndeshjeve kombëtare.

Skuadra e cila mbylli sezonin e rregullt në vendin e fundit, me vetëm 6 pikë të siguruara pas 26 ndeshjesh, është përjashtuar pa pasur mundësinë të merrte pjesë në fazën play-off, pas një vendimi të bërë publik nga Federata Bullgare.

“Federata mori informacioni nga zyra e integritetit të UEFA-s rreth financimit ilegal të FC Vereja nga shtetas kinezë të cilët janë të lidhur me grupe ndërkombëtare që organizojnë manipulimin e ndeshjeve të futbollit në Europë dhe në gjithë botën”, shkruhej në lajmërimin e Federatës.

Federata theksoi se kishte dënuar për manipulime klubin që më datë 18 shkurt, por kjo ishte masa administrative përfundimtare e cila me siguri do të apelohet nga skuadra në fjalë e cila pretendon se nuk ka lidhje me shtetas kinezë e me financime të tilla. /vipsport.al/