Finalja e Kategorisë së Parë, Bylisi dhe Vllaznia sfidohen në Durrës për trofeun

Sot në orën 16:00, në stadiumin ‘Niko Dovana’ të Durrësit, do të luhet finalja e Kategorisë së Parë mes Bylisit dhe Vllaznisë. Të dyja skuadrat triumfuan në grupet përkatëse të Kategorisë së Parë, ndërsa tashmë pasi kanë siguruar rikthimin në elitën e futbollit shqiptar do të masin forcat për të shpallur kampionen e kësaj Kategorie.

Bylisi kaloi konkurrencën e Besës, teksa nga ana tjetër Vllaznia nuk pati rivalë pasi Dinamo dhe Erzeni nuk arritën të mbanin hapin e kuqebluve. Ndërkaq, ekipi ballshiot vjen nga një ecuri tejet pozitive teksa nuk e njohin shijen e humbjes prej 9 muajve.

Ndërkohë, nga ana tjetër Vllaznia hodhi pas krahëve një vit në Kategorinë inferiore, duke siguruar pas vetëm një sezoni rikthimin në Superiore, aty ku ia kërkon tradita ekipit shkodran. Sakaq, duke parë dominimin e dy skuadrave këtë sezon në grupet përkatëse pritet një lojë konkurruese dhe e hapur për të shpallur kampionen e Kategorisë së Parë.

/EgiCabeli-VipSport.al/