Festë për kthimin në Superiore, Bylis konfirmon Dovedan. Trajneri: Do jemi edhe më mirë në elitë

Suksesi i sotëm 4-0 ndaj Besës vulosi një sezon të rregullt thuajse perfekt për Bylisin në Grupin B të Kategorisë së Parë, nga i cili preu biletën për kthimin në elitën e futbollit shqiptar. Ndaj ishte e natyrshme që në Ballsh sot të festohej kjo arritje, edhe pse mbetet trofeu simbolik i kampionatit të Kategorisë së Parë për t’u diskutuar ndaj Vllaznisë.

Presidenti Besnik Kapllanaj, menjëherë pas sfidës ka folur pikërisht për këtë finale, ndërsa ka konfirmuar trajnerin Veljko Dovedan edhe për fillimin e sezonit të ardhshëm në Ballsh. “E para të festojmë për gjithë punën e madhe që është bërë këtë vit. Kemi një finale me Vllazninë, duhet që ta fitojmë dhe atë finale. Janë ekip i fortë, ta kalojmë atë finale dhe pastaj të mendojmë për Superioren. Trajneri është i konfirmuar për sezonin e ardhshëm”, tha ai.

Edhe Dovedan duket ka filluar që të mendojë që tani për edicionin e ardhshëm dhe ekipin me të cilin do të paraqitet në elitën e futbollit shqiptar. “Tani jemi në Superligë falënderoj presidencën për besimin e konfirmimin dhe jam i bindur se do të bëjmë punë të mirë dhe Bylisi në elitë do të jetë shume më i mirë. Kampionatin e kemi fituar një muaj para, ndryshe nga sa ka ndodhur në të kaluarën dhe besoj se tifozët u kënaqen sot me ekipin që është në elitë”, deklaroi ai. /vipsport.al/