“Fasulet, relaksi dhe Bavaria”, Abrashi zbulon Shqipërinë në Gjermani: Rivalitet ka mes Partizanit e Tiranë

Klubi i Frajburgut ka bërë një gjetje mjaft origjinale duke marrë 3 futbollistë nga shtete të ndryshme për të folur në lidhje me vendet e tyre të origjinës dhe mes këtyre 3 futbollistëve, ishte edhe Amir Abrashi. Mesfushori kuqezi ka zbuluar detaje nga Shqipëria, megjithëse vetë ai personalisht nuk jeton në Shqipëri dhe vjen për grumbullime.

Abrashi është ndalur te Kategoria Superiore, relaksi i shqiptarëve, ushqimet që përdoren e të tjera detaje interesante të cilat i ka thënë në Gjermani. “Zviceranët janë pak a shumë si gjermanët, të disiplinuar dhe të saktë e korrektë si ora zvicerane. Më ndryshe janë shqiptarët që nuk e stresojnë shumë veten e tyre. Nga ana e ushqimeve, për shembull është fasulja, një gjellë shqiptare që qëndron në krye të listës”, tha Abrashi.

“Në Shqipëri ka shumë tifozë që ndjekin futbollin gjerman dhe kryesisht janë me Bavarinë. Rivaliteti mes Partizanit dhe Tiranës merr shumë vëmendje”, tha Abrashi mes të tjerash. Ai ka kujtuar edhe skenën e vitit 2014 kur në Beograd u ul flamuri i Shqipërisë etnike, duke pranuar se kishte skena të paimagjinueshme. “Euro 2016? Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme”, e mbyll rrëfimin e tij Abrashi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/