Erdhi me bujë në verë, sulmuesi maqedonas largohet nga Superiorja

 

Një nga lojtarët e ardhur me bujë në verën e shkuar në radhët e skuadrës së Laçit, Bojan Najdenovv e ka mbyllur përpara kohe aventurën  e skuadrën e trajnerit Sulejman Starova. Në fakt, ka qenë një divorc i detyruar sepse lojtari ka pësuar dy dëmtime radhazi, ndonëse në Laç e kanë vlerësuar duke i dhënë minutazhin e duhur, por edhe duke i qëndruar korrekt në aspektin financiar.

Pesë javë nga fundi duket se lojtari dhe klubi kanë zgjedhur që ta mbyllin me konsensus duke mos rinovuar për sezonin e ardhshëm. Vetë Najdenov e ka dhënë lajmin në profilin e tij në “Instagram”, duke konfirmuar se: “Sezoni ka mbaruar për mua. Sapo rikthehesha në 100%, pësoja një tjetër dëmtim. Kohët e fundit, pësova një tjetër dëmtim, i cili i dha fund edhe aventurës time me klubin e “KF Laçit”. Dua të deklaroj se bashkëpunimi im me drejtuesit e Laçit ka mbaruar.

“Dua t’i falënderoj të gjithë, anëtarët e stafit, tifozët, presidentin Pashk Laska, për mbështetjen dhe besimin ndaj meje. Jam shumë me fat që kam qenë pjesë e kësaj aventure. Kaluam kohë shumë të bukura, por dhe jo momente të mira, megjithatë unë do të mbaj mend vetëm momentet e bukura. I uroj Laçit fat në të ardhmen”.

E.S./Vipsport.al/