Enigmë e ardhmja e Insinje, Atletiko Madrid dhe një ekip italian të interesuar për sulmuesin

Pavarësisht fjalëve të trajnerit Karlo Ançeloti, i cili u shpreh se Lorenco Insinje do të mbetej te Napoli edhe për sezonin tjetër, e ardhmja e sulmuesit duket në udhëkryq. 27-vjeçari, u përfol gjatë sezonit edhe për një marrëdhënie të komplikuar me trajnerin çka mund ta shtyjë të largohet.

Ndërkohë, Insinje e ka deklaruar se kërkon të fitojë tituj dhe me Napolin duket e vështirë të mbërrijë te trofetë. Kërkesat për sulmuesin nuk shterojnë asnjëherë pasi dihen cilësitë e Insinjes. Së fundmi sirenat për napolitanin kanë ardhur edhe nga Spanja, aty ku Atletiko Madrid po kërkon zëvendësuesin e Griezman i cili në ditën e djeshme njoftoi se do të largohej në fundin e sezonit.

Për Insinjen nuk mungojnë as kandidatët nga Italia, teksa kuqezinjtë e Milanit janë të gatshëm të bëjnë një sforcim për të siguruar shërbimet e futbollistit. Megjithatë, ekipi nga Milano duhet të mendojë fillimisht të sigurojë kualifikimin në Champions League pasi ndryshe do të ishte e pamundur. Për Insinjen nuk ka hequr dorë as Interi, edhe pse përparësia e zikaltërve është Kieza. Megjithatë, e ardhmja e Insinjes është një e panjohur  e madhe, teksa sulmuesi duket larg Napolit.

/EgiCabeli-VipSport.al/