Ëndërron Pogba, por Juventus me ofertë për mesfushorin Rabiot

Merkato e Juventusit ka mbetur pezull të paktën për momentin, pasi nuk dihet e ardhmja e teknikut Alegri. Megjithatë, klubi ka synimet e tij në merkato, ndërsa vëmendja është te reparti i mesfushës. Edhe pse tashmë kanë zyrtarizuar afrimin e parë, Aron Ramsej nga Arsenali, synimi i drejtuesve bardhezi mbetet rikthimi i Pol Pogba.

Por, nuk do të jetë aspak e lehtë për të rikthyer mesfushorin pasi konkurrenca nga ana e Real Madrid është tejet e fortë dhe Juventusi nuk mund t’i ofrojë të njëjtat kushte në kontratë lojtarit të Junajtid si madrilenët. Në këtë formë, një ribashkim i Pogba me Juventusin mund të ndodhë vetëm nga vullneti i këtij të fundit. Megjithatë, torinezët nuk mbeten vetëm te Pogba, ndërsa janë të interesuar prej kohësh për një tjetër francez. Bëhet fjalë për Rabiot, i cili ka prishur çdo marrëdhënie me klubin e PSG.

Paratiçi ka nisur kontaktet e para teksa i ka ofruar nënës dhe njëkohësisht agjentes së lojtarit një pagë prej 6 milionë euro në sezon, që bashkë me bonuset mund të shkojnë deri në 8 milionë.

/EgiCabeli-VipSport.al/