Emocionet kuqezi, Telushi e Mala tregojnë ditët në kombëtare dhe presin festën e të dielës

Nëse Alban Hoxha dhe Lorenc Trashi ishin emra “të njohur” në ambientin e përfaqësueses shqiptare falë ftesave të mëparshme, një risi në grumbullimin e parë kuqezi në listën paraprake ishin Bruno Telushi dhe Esat Mala. Të dy futbollistët e Partizanit pranojnë se për ta ka qenë e veçantë kjo ftesë dhe mendojnë se për këtë ka meritë padyshim sezoni i shkëlqyer që ka bërë Partizani dhe titulli kampion i siguruar nga të kuqtë.

“Edhe për mua ftesa ishte diçka e papritur. U ndjeva shumë i gëzuar dhe ishte emocionuese se erdha bashkë me shokët e ekipit dhe kjo të bën të ndjehesh pak më mirë. Është diçka shumë e mirë për ne dhe klubin e të bën të ndjehesh mirë por mendoj se kemi shfaqur veten në ndeshjet që kemi bërë dhe arritja e objektivit pas shumë vitesh të bën të jesh këtu. A do jem në listën përfundimtare? Këtë do ta tregojë lista e dytë dhe varet nga ajo që ka parë trajneri në këto stërvitje. Unë dëshirën e kam se është në ëndërr për mua, shpresoj që të jem”, tregoi Telushi për “SuperSport”.

“Si djalë i ri isha shumë i surprizuar, një hap i mirë për mua dhe një mundësi për karrierën time se mund të më vlejë shumë dhe do të mundohem ta shfrytëzoj. Që ne të katërt të jemi këtu, Partizani ka bërë të veten. Më të mirët ftohen, me paraqitjet tona besoj se e kemi merituar grumbullimin”, shpjegon Mala.

Për të dy vjen në këtë javë edhe një festë dhe një emocion i parë si fitues të titullit kampion, të cilin po e presin me padurim. “Atë ditë pas derbit bëmë një festë për arritjen e objektivit, por kjo tjetra do të jetë madhështore, do jetë trofeu që është qershia mbi tortë e të bën të ndjesh mirë”, tha Telushi. “Derbi ka ndjenja të veçanta por fitimi ka ndjenjë tjetër, në aspektin profesional është për herë të parë dhe jam shumë i gëzuar për të gjithë që e arritëm”, deklaroi Mala. /vipsport.al/