Ekskluzive/ Luftëtari vazhdon me premtime të rrema për premio, futbollistët nuk paguhen për mbijetesën

Luftëtari po kalon një situatë të vështirë në klub duke qenë se pak ditë më parë pezulloi dy futbollistë titullarë, Xheksonin dhe Albano Aleksin si edhe pezulloi trajnerin Julian Ahmataj i cili shpëtoi skuadrën nga rënia nga Kategoria. Të pezulluarve, iu premtua se do të merrnin paga të plota ashtu si edhe futbollistët e tjerë, por në fakt në klub kanë rreth 4 muaj pa rroga.

‘VipSport.al’ ka mësuar se përveç rrogave të pa dhëna, drejtuesit kanë mbajtur me premtime të rrema futbollistët të cilët kanë pasur si detyrim mbijetesën. Në rast se ekipi gjirokastrit do të merrte në fazën e tretë 15 pikë, atëherë do t’u jepej një premio prej 20 mijë eurosh. Futbollistët arritën të mbushnin objektivin duke qenë se arritën të merrnin plot 17 pikë ndërkohë që premioja nuk u është dhënë.

Sakaq, futbollistëve u është premtuar edhe një premio prej 10 mijë eurosh nëse do të merrnin fitore ndaj Partizanit dhe Skënderbeut, dy nga rivalët më të fortë. Futbollistët sërish kanë arritur t’ia dalin duke mundur 1-3 Partizanin në transfertë, ndërkohë që 1-0 ka mundur edhe Skënderbeun. Pavarësisht rezultateve, futbollistët sërish nuk e kanë marrë premion dhe tashmë u premtohet se ditët në vijim do të marrin rrogat ndërkohë që pritet që të ketë edhe largime të tjera. /Erjon Allaraj-VipSport.al/