Ekipi më i dobët në “Selman Stërmasi”, statistika që frikëson Tiranën para fundjavës

Nëse mendoni se faktori fushë do të ndihmojë Tiranën të mundë Kastriotin në ndeshjen e fundjavës që do të jetë një duel direkt për mbijetesën, gaboheni rëndë. Në fakt, bardheblutë rezultojnë të jenë ekipi më i dobët në fushën e tyre në këtë edicion të Kategorisë Superiore pa përfshirë Kamzën e përjashtuar.

Shifrat e këtij sezoni tregojnë se ekip i drejtuar fillimisht nga Ze Maria e më pas nga Mema, ka koleksionuar shumë pak pikë në fushën e vet në krahasim me të gjithë skuadrat e tjera. Bardheblutë kanë 22 pikë në 16 ndeshje të luajtura në fushën e tyre dhe në momentin që flasim, lënë pas vetëm Kamzën në këtë renditje.

Po ashtu, ekipi shënon shumë pak në “Selman Stërmasi” dhe kjo shihet nga fakti se në kryeqytet, bardheblutë kanë realizuar 17 gola si pritës, duke qenë përsëri të fundit bashkë me Teutën në këtë renditje (pa llogaritur Kamzën e përjashtuar).

Shifra të cilat të lënë të kuptosh krizën e thellë të klubit bardheblu i cili në transfertë çuditërisht është mes ekipeve mesatare në sigurimin e pikëve jashtë fushës së vet, duke marrë më shumë se skuadra si Flamurtari apo Skënderbeu të cilat luftojnë për Europën.

Ngushëllimi i vetëm për bardheblutë mund të jetë se ndonëse “Selman Stërmasi: nuk mund të cilësohet një strehë e sigurt për ta, nuk kanë përballë një ekip mbizotërues në transferta. Në 16 ndeshjet e luajtura deri tani, Kastrioti ka siguruar vetëm 11 pikë jashtë, duke qenë ekipi më i dobët në këtë statistikë. /vipsport.al/