Edi Reja e nis mbrapsht, edhe ai e neglizhon Superioren si Panuçi 

Shpesh herë ka qenë një temë e nxehtë diskutimi mungesa e futbollistëve nga Kategoria Superiore në ekipin kombëtar. Kristian Panuçi ishte ai i cili mungonte në ndeshjet e Superiores dhe dërgonte Ervin Bulkun por që në fund afrimet ishin me pikatore. Të njëjtën rrugë, duket se ka zgjedhur edhe trajneri i ri Edi Reja.

Dje u luajt derbi i kryeqytetit që për një vend dhe për një kampionat si Superiorja, derbi mund të konsiderohet padyshim si ndeshja kartolinë. Në një ndeshje të luftuar ku çdo futbollist e ka motiivimin shumë lart për shkak të vetë rëndësisë që ka ndeshja, mungonte interesimi nga FSHF. Vetë Reja personalisht duket se e ka konsideruar një ndeshje të një rëndësie jo të madhe derbin më të madh në Shqipëri pasi nuk është munduar të vijë në stadium dhe të ndjekë nga afër këtë ndeshje ndoshta edhe për të parë futbollistë që mund t’i shërbejnë Kombëtares.

Sakaq, sikur të mos mjaftonte vetëm mungesa e Rejës, nuk kishte as ndihmës të tij duke qenë se përgjegjësi për Superioren, Ervin Bulku i cili në kohën e Panuçit kishte detyrë të shihte futbollistët, ishte i ftuar në emision sportiv, duke e parë derbin nga ekrani i TV. Prej kohësh, flitet se rol në Kombëtare i është dhënë edhe Hamdi Salihit, por as ky i fundit nuk ishte i pranishëm në tribunën “VIP” e cila si rrallë herë ishte e mbushur vetëm me tifozë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/