Edi Reja: Duhet të njoh të paktën fytyrat e futbollistëve, ka prurje të reja

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja ishte i pranishëm sot në stadiumin “Selman Stërmasi”, aty ku ndoqi nga afër takimin mes Tiranës dhe Kastriotit, i mbyllur në barazim 0-0. Tekniku italian që do të debutojë me kuqezinjtë në muajin qershor, u shpreh për “Top Channel” se duhej që të paktën të njihte futbollistët nga fytyrat pasi nuk ka shumë kohë në dispozicion. Ai pranoi se do të ketë fytyra të reja në skuadër duke shtuar se prioritet kanë futbollistët me më shumë minuta në këmbë.

“Prezenca në stadium? Duhej t’i njihja më parë por sepse nuk kemi pasur kohën e duhur. Tani që jemi këtu duhet të njoh të paktën fytyrat, sepse mund të jenë 25 lojtarë ose 28 dhe ne kemi shumë pak kohë në dispozicion. Kështu që duhet të fillojmë të krijojmë ide të qarta. E kam një listë me 32-33 futbollistë, por është e qartë se më të favorizuarit janë ata që aktivizohen më shumë, sepse kemi nevojë për ata që janë në gjendjen më të mirë fizike.

Lista? Do të mbaj grupin aktual të lojtarëve, por padyshim që do të ketë edhe prurje të reja, sidomos të atyre lojtarëve të rinj që po i studioj. Më pas do të vendosim në një moment të dytë.

Loja sulmuese? Të gjithë presin që skuadra të luajë në sulm dhe unë jam një prej tyre, por për këtë duhen elementët e duhur që duhet të marrësh në konsideratë, ndërkohë që duhet vlerësuar edhe kundërshtari që ke përballë”, tha Reja. /VipSport.al/