E mori në qafë Abramoviç, ylli i Çelsit dhe Anglisë do mungojë një vit për dëmtim

Ruben Loftus-Çik, ylli i skuadrës së Çelsit i cili është pjesë edhe e përfaqësueses së Anglisë, do të mungojë për rreth një vit pas dëmtimit të tmerrshëm që pësoi në një miqësore në SHBA me blutë londinezë. Futbollisti dëmtoi rëndë tendinën e Akilit në një miqësore në SHBA që kishte organizuar presidenti i klubit, Roman Abramoviç dhe do t’i mungojë skuadrës për një kohë shumë të gjatë.

Mesfushori 23-vjeçar ishte zëvendësues në pjesën e dytë të sfidës, por ai u dëmtua pas 20 minutave në fushë dhe u kuptua menjëherë që ishte diçka serioze, sidomos pasi ai u pa të largohej nga stadiumi me paterica pas sfidës. Në Angli mendojnë se dëmtimi i tij është shumë i rëndë, pasi ka pësuar këputje serioze dhe koha e riaftësimit pas një operacioni të domosdoshëm për situata të ngjashme shkon deri në 1 vit,

Praktikisht, kjo mbyll çdo shteg për të që të kthehet në fushë në vitin 2019 dhe për pjesën më të madhe të pjesës së dytë të sezonit në vitin 2020.

Ngjarja ka acaruar stafin teknik të skuadrës, pasi kjo miqësore ishte kundërshtuar ashpër nga trajneri Mauricio Sarri, i cili nuk kishte dashur që ekipi të udhëtonte drejt SHBA dhe shkoi atje vetëm se sfidën e kishte organizuar Abramoviç. Ndonëse kjo ishte ndeshje bamirësie nga e cila u siguruan rreth 3,5 milionë euro për organizatat që luftojnë diskriminimin, udhëtimi drejt SHBA dhe lodhja e tepërt pak ditë para finales së Ligës së Europës në Baku, e bënte këtë një sfidë të padëshiruar. Me dëmtimin e Loftus-Çik, duket se vendimi i Abramoviç ka qenë plotësisht i gabuar. /vipsport.al/