E konfirmon edhe Uli Hënes, Bajern drejt transferimit rekord të Leroi Sane

Bajern Mynih e ka seriozisht! Bavarezët janë vënë në ndjekje të yllit të ri gjerman të Mançester Sitit, Leroi Sane dhe duan me çdo kusht të sigurojnë futbollistin në këtë verë, për ta bërë atë zëvendësuesin ideal të Frank Riberi.

Futbollisti është prej 3 vitesh në Angli, ku është vënë nën urdhrat e Pep Guardiolës duke u kthyer në një nga lojtarët ofensive më të mirë në qarkullim në EUropë. Por Bajern Mynih kërkon me çdo kusht ta kthejë atë në kampionatin gjerman dhe konfirmimi ka ardhur zyrtarisht edhe nga presidenti i bavarezëve, Uli Hënes.

“Po, ne po merremi me këtë çështje”, pohoi ai për mediat gjermane, ndërsa e përditshmja “Kicker” raporton se ka pasur kontakte zyrtare mes drejtuesve të klubit dhe familjarëve të Sane, të cilët janë ata që menaxhojnë jetën profesionale të lojtarit.

Shifra e kartonit të Sane tashmë ka arritur 100 milionë euro, një vlerë e lartë që kalon “kufirin” prej 80 milionë eurosh që kishte vendosur klubi bavarez për çdo transferim. Megjithatë, këtë radhë duket se ata janë gati të bëjnë një sforco dhe të vendosin rekordin e ri të transferimeve për të afruar futbollistin të cilin shumëkush e sheh si liderin e ardhshëm të përfaqësueses gjermane.

Edhe Pep Guardiola duket i gatshëm ta lërë të largohet, pasi mendohet se mes palëve ka pasur përplasje sa i përket idesë së lojës që ka trajneri i cili i ka kërkuar shpesh të sakrifikohet edhe në mbrojtje. Fakti që ai është kthyer në lojtar stoli, po shtyn Sane drejt pranimit të ofertës së Bajernit, për një nga transferimet më të rëndësishme të kësaj vere në futbollin europian. /vipsport.al/