E kërkonte edhe para dy viteve, Atletiko e zëvendëson Griezman me një tjetër francez

Pas zyrtarizimit të vetë Antuan Griezman se ky do të jetë viti i fundit për të te Atletiko Madrid, skuadra madrilene është e detyruar të mendojë për zëvendësuesin e francezit në sulm. Gjetja e një golashënuesi është synimi i trajnerit Diego Simeone, i cili nuk i beson më edhe Diego Kostës për të mbuluar këtë rol, ndërsa Morata nuk ka bindur me paraqitjet e deritanishme.

Në këtë formë, emrat që qarkullojnë janë të shumtë por duket se objektivi i vërtetë i bardhekuqve është Aleksandër Lakazet. Sulmuesi i cili aktualisht aktivizohet me Arsenalin, është i preferuari i teknikut argjentinas. 27-vjeçari në këtë sezon ka pasur një mesatare të lartë shënimi, ndërsa do të luajë edhe finalen e Europa League me topçinjtë përballë Çelsit.

Lakazet ka qenë edhe më parë në agjendën e Atletiko Madrid por akordi nuk u mbyll për shkak se klubi spanjoll u dënua nga UEFA. Megjithatë, tashmë mund të jetë koha e duhur për t’u bashkuar dhe kanë nisur kontaktet e para me lojtarin për të provuar transferimin në ‘Wanda Metropolitano’.