Dy lojtarët e huaj, largimet e radhës nga Vllaznia

Ndonëse e ardhmja e Vllaznisë është në pikëpyetje për shkak se është një skuadër bashkia dhe nuk dihet e si do të venë zgjedhjet e 30 qershorit, për të vijuar më pas me punën në futboll, largimet kanë nisur. Janë vetë lojtarët që duket se po i bëjnë zyrtare ato.

Kështu, pas Dejvi Bilalit, i mbaroi kontrata edhe Valdo Zeqajt. Por, me shumë gjasa edhe dy të huaj nuk do të jenë më pjesë e shkodranëve, rumuni Dan Ignat u vonua në janar dhe u rikthye në Shkodër në limitet e fateve të merkatos dhe nga sa bëhet e ditur ai ka provuar fatin diku tjetër, ndërsa tjetri është sulmuesi Eziamaka që ka pasur shumë pak hapësira me kuqeblutë.

Eziamaka ka shënuar dy gola ndaj Vorës, por duket se për Superioren nuk është në planet e klubit. Humbja e finales me Bylisin tregoi se për Vllazninë e Superiores duhet shumë punë. Por, deri më tani ka vetëm largime dhe ato sapo kanë nisur…

E.S./Vipsport.al/