Duhet ta paguajë më shumë, Lotito kërkon të ndalë largimin e Tares drejt Milanit

Zërat e merkatos kanë filluar të shqetësojnë presidentin e Lacios, Klaudio Lotito. Këtë herë, nuk bëhet fjalë për futbollistët e skuadrës së tij, por për trajnerin Simone Inzagi dhe atë që bëri të mundur që skuadra t’u kthehej përsëri sukseseve, mjeshtrin e merkatos, Igli Tare.

Drejtuesi shqiptar është një prej objektivave kryesorë të Milanit, i cili është gati t’i japë lamtumirën Leonardos, ndërsa edhe klubet e tjera të mëdha italian e monitorojnë prej kohësh. Aftësitë e tij nuk diskutohen dhe të gjithë janë kureshtarë të dinë se si do të paraqitej Tare në një klub ku buxheti në dispozicion do të ishte më i madh.

Kësisoj, pritet që së shpejti të ketë një takim mes Lotitos, Inzagit e Tares në zyrat e klubit për të sqaruar të ardhmen. Presidenti është gati t’i ofrojë trajnerit që monitorohet nga Juventusi një kontratë të re deri në vitin 2022.

Ndërkohë, për të bindur Igli Taren të qëndrojë, Lotitos i duhet të hapë portofolin. Sigurisht, presidenti është ai që ka meritën pasi ktheu Taren në një drejtor sportiv kur nuk e priste askush, por tashmë duket i ndërgjegjshëm që edhe marrëveshja financiare mes tij dhe drejtuesit shqiptar duhet përmirësuar, me Taren që pritet të përfitojë shifra të ngjashme me kolegët e tij në klube të mëdha të Serisë A. /vipsport.al/