Donaruma dhe Piontek dërgojnë Milanin në Champions, kuqezinjtë presin ‘dhuratën’ e Juventusit

 

Milani ia ka dalë të marrë një fitore tejet të rëndësishme për objektivin për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Kuqezinjtë mposhtën jo pa vështiurësi me rezultatin 2-0 në San Siro, Frosinonen. Pa dyshim heronjtë e Milanit ishin portieri Xhanluixhi Donaruma dhe sulmuesi Kristof Piontek që u rikthye te goli pas disa ndeshjeve thatësirë.

Sa i përket ndeshjes, skuadra e trajnerit Xhenaro Gatuzo nuk arriti në pjesën e parë të tregohej efikase në sulmet drejt zonës respektive, ndërsa në disa raste ishin edhe miqtë ata që rrezikuan, megjithatë 45 minutat e para përfunduan me rrjeta të paprekuar. Ndërkaq, në fraksionin e dytë të lojës Milani rrezikoi të kalonte në disavanatazh teksa Abate shkaktoi një penallti. Nga pika e bardhë Donaruma neutralizoi goditjen e Çiano duke ruajtur ekuilibrat e ndeshjes.

Pas këtij momenti, kuqezinjtë u zgjuan dhe shënuan pas 7 minutash me Piontek, që u tregua i vëmendshëm për të devijuar një top drejt rrjetës. Sakaq, rezultatin e vulosi një perlë e Susos nga goditja e dënimit. Një trepikësh jetik për Milanin, teksa për momentin kuqezinj renditen në vendin e katërt dhe presin një ‘dhuratë’ nga Juventusi e cila pret Atalantën, rivalja direkte e Milanit për një vend në Champions League. Ndërkohë kjo ishte ndeshja e fundit për Abaten me fanellën e Milanit, teksa mbrojtësi do të largohet pas 10 viteve si kuqezi.

/EgiCabeli-VipSport.al/