Djali i Zidan kthehet në një çështje te Reali, trajneri paralajmëron largimin nga Madridi

Pas dështimeve të Julien Lopeteguit dhe Santiago Solarit, as Zinedin Zidan nuk po arrin ta rikthejë Realin në nivelin që ishte dikur dhe që mund të trembë kundërshtarët. Madrilenët e mbyllën këtë sezon në vendin e tretë ndërkohë që kanë nisur të mendojnë për merkaton e verës ku në listë qëndrojnë futbollistë me peshë në Europë dhe pritet të jetë një verë e nxehtë.

Problemet e shumta që Reali ka pasur këtë sezon, ka bërë që situata në shtëpinë “Los Blancos” të mos jetë aspak e qetë dhe tashmë është Zinedin Zidan ai që ka paralajmëruar se mund të largohet nga Reali nëse nuk lejohet që të punojë i qetë. Zidan është shprehur në konferencë se nëse nuk lejohet të bëjë atë që do, atëherë mund të mendojë edhe largimin nga Madridi.

Sakaq, në çështje është kthyer edhe djali i tij, Luka Zidan i cili aktivizohet si portier me ekipin e dytë të Realit. 21-vjeçari ka debutuar këtë sezon edhe me ekipin e parë dhe mediat raportojnë se Zidan ka kërkuar nga klubi që të vihet si portier i dytë megjithatë kjo është mohuar nga vetë Zidan.

“Të gjithë luajmë dhe duhet të pranojmë ato që thuhen por nuk janë të drejta. Luka nuk luan për shkak se është djali im, por se është një futbollist që po rritet këtu dhe ka luajtur me Realin për 15 vite duke treguar se është i një niveli të lartë. Secili mund të japë mendimin e tij por nuk kam bërë kërkesë që Luka të jetë portier i dytë pasi çdo gjë zgjidhet kur përfundon sezoni”, tha Zidan për mediat franceze. /Erjon Allaraj-VipSport.al/