Devolli: Ndoshta e dua Tiranën më shumë se disa në klub, gjyqtarët shqiptarë nuk i lëmë rehat çdo javë

Trajneri i Kastriotit, Bledar Devolli, mendon se merita kryesore e skuadrës së tij është se ka respektuar tre parimet bazë më të cilat ka punuar për të kthyer të gjallë në garën për mbijetesë. Në “Zona Gol” ai insistoi se ekipi kishte merituar të ishte këtu dhe me shanse reale për të mbijetuar.

“Që në ditën e parë kam kërkuar tre parimet: punë, disiplinë e harmoni. Pa këto nuk arrihet asnjë gjë, të gjitha i kemi arritur falë këtyre tre parimeve bazë, pastaj tjetra është çdo stërvitje me entuziazëm. Edhe sot pas barazimit çunat i pashë entuziastë pas ndeshjes. Me punë e stërvitje e me seriozitet, me disiplinën që e kemi numër 10 duke filluar nga kapiteni e deri te i fundit. Kjo ka bërë të arrihen rezultate.

Pastaj kam lojtarë që kanë cilësi në ekip, të rinj që duan të afirmohen dhe e kam thënë që në fillim që në qershor do të flasim për këta djem  Unë ulërij shumë dhe lojtarët më durojnë. U kërkoj të falur 100 herë lojtarëve pas stërvitjes dhe pas çdo ndeshje.

Kemi marrë më pak pikë vetëm se Partizani. Nuk është faji ynë që Tirana është këtu, askush nuk do Tiranën në këto pozita. Unë kam luajtur aty dhe e dua këtë klub, mentalitetin e fituesit e kam fituar te ky klub i madh, që ditën e parë që shkova e pashë çfarë do të thotë të fitosh në stërvitje a ndeshje, është klub që më ka dhënë shumë.

Ndeshja me Tiranën? Kur portieri i tyre del lojtar i ndeshjes, kjo është pse them  që kemi dominuar, në mbajtje topi e raste. Portieri im ka qenë spektator, dy rastet e tyre kanë qenë jashtë porte. Tirana ka probleme dhe mendoj se është edhe faji i drejtuesve. Nuk mund të ndalesh autobusin për tifozët. Ndoshta e dua Tiranën më shumë se disa të tjerë aty. Ekipi ka nevojë vetëm për më shumë qetësi në këtë situatë. Edhe sot isha i qetë se ata ishin nën presion dhe e dija që ka tension në dhomat e zhveshjeve. E dija që kishin presion dhe në rastet që mund të dilnin para portës nuk do ta shfrytëzonin, se është qetësia që nuk kanë lojtarët.

Gjyqtarët e huaj sot? Kam dyshime të miat në dy raste, por ka qenë vendimi i drejtë i Federatës. Se këta gjyqtarët këtu edhe ne nuk i lëmë rehat çdo javë. Më mirë që u mor i huaj se nuk kishte kontestime, asgjë pas ndeshjes.

E ardhmja ime? Të flasim me drejtuesit e çfarë të dali. Dua një ekip që ta marr nga fillimi në qershor ta përgatit, kjo është shpresa. Atë që nuk e bëra te Kamza me pak fjalë”, komentoi Devolli. /vipsport.al/