Devolli: Largohem nga Kastrioti se nuk dua të ul stekën, më vjen mirë që shpëtoi Tirana

Pas një gare të gjatë dhe shpresave të shumta, Kastrioti nuk ia doli të mbijetonte këtë sezon. Në një prononcim për “Supersport”, trajneri Bledar Devolli u shpreh se këtu e mbyll kapitulli i tij te Kastrioti dhe se synon që të qëndrojë në Kategorinë Superiore.

“Në radhë të parë kërkoj ndjesë sepse kemi thënë edhe batuta në tension e sipër dhe për këtë kërkoj vetëm ndjesë. Është e vërtetë që pas ndeshjes me Tiranën nuk e kishim në dorën tonë, por i jam mirënjohës presidentit. Sot e patë që kemi bërë një nga ndeshjet më të mira deri kur morëm vesh rezultatin e Tiranës. Ky është futbolli dhe pranojmë verdiktin! Jeta vazhdon dhe do të shohim tani.

Lotët? Mos më bëni pyetje prekëse sepse do të më bëni të qaj sërish. Do të flas me presidentin por edhe kemi folur. Do të shoh për një aventurë tjetër dhe dua të marr një ekip Superioreje. Nuk dua të ul stekën dhe dua të shoh një ekip me të cilin të punoj. Jam i gatshëm për çdo ekip dhe çdo objektiv që më vë presidenti!

Unë e kam thënë se çfarë kam ëndërr të drejtoj në Shqipëri. Ishte garë e bukur mes Tiranës dhe Luftëtarit dhe më vjen mirë që shpëtoi Tirana dhe Luftëtari meqë jam gjirokastrit. Më vjen mirë si kanë luajtur deri më tani dhe u uroj shumë fat çunave. Shumë lojtarë të këtij ekipi do të jenë në treg, ua siguroj”, tha Devolli. /VipSport.al/