Detaje nga festa dhe hyrje falas për tifozët, në Ballsh të gjithë në sheshin e qytetit!

Futbolli është një nga argëtimet që zë vendin kryesor në trevën e Mallakastrës. Valentino Murataj, një nga lojtarët që ka spikatur këtë sezon, kërkon që të ketë sa më shumë tifozë për të krijuar atmosferë të zjarrtë: “Si një nga lojtarët që i përkas kësaj treve, u bëj thirrje tifozëve kudo ku janë të jenë të shumtë, pasi për ne është ditë feste. Kemi sakrifikuar të gjithë bashkë, që nga presidenti, trajneri, stafi, lojtarët, apo dhe ata tifozët fanatik, pa harruar ndihmën e pakursyer të Bashkisë”.

“Prandaj është koha që të festojmë. Bylisi është krenaria e kësaj treve, nuk është thjesht një ekip futbolli, është një emër apo identiteti i zonës së Mallakastrës. Tashmë e ka radhën festa, e sigurisht që do të fitojmë me Besën për të vijuar rekordin tonë që nuk besoj se e kanë arritur ekipe të tjera ndër vite, mund të jetë rast unikal në futbollin shqiptar kjo ecuri e Bylisit këtë sezon!”

“Do të festojmë dhe pastaj do të mendojmë për finalen që është ndeshje prestigji, por s’do të thotë që nuk do të fitojmë edhe në atë takim. Ndaj u bëj ftesë të gjithëve që të vijnë dhe ta kthejmë në festë fundjavën. Ballshi e meriton që të jetë ems më të mirëve të futbollit shqiptar”,  –  tha kapiteni i Bylisit, Valentino Murataj.

Pritet që në ndeshjen ndaj Besës të ketë disa personalitete të sportit mallakastriot ndër vite, ish-sportistë, ish-trajnerë dhe ish-drejtues, ndërsa atmosfera do të nis pak orë para ndeshjes, kur në stadium do të ketë “DJ” dhe muzikë. Festa pritet që të spostohet në qendër të qytetit menjëherë pas ndeshjes, ku do të jetë e gjithë skuadra dhe në qendër të qytetit do të jenë të vendosura bokse me muzikë, por edhe këngëtarë!

E.S./Vipsport.al/