Dermaku: Sezonin tjetër luaj në Serinë A, është rikthyer harmonia në skuadër

Përkrah mesfushorit Migjen Basha, sot para mediave ka dalë edhe mbrojtësi Kastrioti Dermaku i cili ka folur për ndeshjet e radhës që Shqipëria ka në kualifikueset e Europianit të vitit të ardhshëm. Dermaku u shpreh se skuadra ka harmoni ndërkohë që ka folur edhe për të ardhmen tij.

“Mbrojtja? Unë personalisht jam mësuar me të dyja sistemet e lojës, si me 3 ashtu edhe me 4 mbrojtës. Duke parë grupin që ka në dispozicion, trajneri do të vendosë. Ne do të japim maksimumin për më shumë pikë dhe kur kemi ardhur në Kombëtare e kemi ditur që ka ndeshje të vështira por duhet të japim maksimumin.

Konkurrenca është e madhe dhe pozitive kur ka shumë lojtarë në formë. Unë pres të jem titullar dhe të jap maksimumin për të treguar vlerat. Nuk mund të them se me kë luaj në mbrojtje por me rëndësi është të luajmë.

Ende nuk jemi grumbulluar të gjithë për të bërë një gjykim por ka më shumë harmoni. Deri më tani është gjithçka pozitive pasi kemi pasur vështirësi.

Kam biseduar me disa ekipe në Serinë A me menaxherin tim. Kontrata ime përfundon tani dhe do të shkoj në Serinë A. Pike më pëlqen shumë te Barcelona dhe ka shumë të rinj si Romanjoli e të tjerë”, tha Dermaku. /Erjon Allaraj-VipSport.al/