Dëmtimet e shumta penalizojnë Grezdën, bën gati valixhet për t’u larguar

I transferuar me shumë bujë në merkaton e verës, Eros Grezda nuk ka arritur të tregojë vlerat e tij reale me Rejnxhërsin duke u penalizuar jo pak edhe nga dëmtimet e shpeshta. Në momentin e tij më të mirë, para merkatos së janarit, Grezda pësoi një dëmtim në Spanjë de e detyroi që të qëndronte disa javë jashtë fushave duke humbur jo pak nga forma.

Paraqitjet e bëra këtë sezon nga Grezda, duket se e kanë detyruar stafin që të mendojë për një tjetër alternativë dhe sulmuesi i Kombëtares me shumë gjasa do të largohet. Mediat britanike bëjnë me dije se Xherard ka bërë një listë me futbollistët që do t’i japin lamtumirën Rejnxhërsit dhe Grezda është një ndër to pasi pritej më shumë nga ai.

Fakti që edhe kur ka qenë në gjendje të mirë fizike, ka qëndruar në stol, e ka forcuar më shumë hipotezën për një largim të mundshëm në verë. Ende nuk flitet për një destinacion të ri për Grezdën ose për formulën se si Grezda do të largohet, huazim apo shitje përfundimtare. /Erjon Allaraj-VipSport.al/