Dede: Qëllimi të afrojmë sa më shumë lojtarë nga kampionati vendas, përballjet me Kosovën interesante

Trajneri i Kombëtares U19, Nevil Dede në konferencën për shtyp ku prezantoi dy sfidat miqësore me Kosovën, theksoi se qëllimi është të marrin sa më shumë lojtarë nga kampionati vendas për t’iu dhënë motivim dhe gjithashtu të motivojnë klubet shqiptare për t’u fokusuar te talentet e tyre.

 Grupi i lojtarëve

“Deri diku kjo skuadër po merr formë, një nga qëllimet kryesore është të shohim sa më shumë lojtarë nga Shqipëria. E kam deklaruar që në fillim, pasi është kryesore që t’iu jap motiv lojtarëve që marrin pjesë nga Shqipëria. T’i tregojmë respekt dhe vëmendje atyre dhe t’iu japim oksigjen klubeve shqiptare, se duke menduar se kanë elementë cilësore të fokusohen më shumë në rritjen e tyre.

Qëllimet kryesore janë zgjidhja e më të mirëve, Strategjia është t’i japim frymëmarrje lojtarëve. Duhet të zgjedhim lojtarë të mirë për të furnizuar U21 dhe Kombëtaren A, më pas vjen ndërtimi i skuadrës. Pastaj të mendojmë për ta ndërtuar këtë ekip. Ne i vëzhgojmë, federata ka skautët e saj dhe marrim informacione sa më të saktë dhe të plotë. Në këtë moment i tregojmë ftesën dhe i shohim nga afër për t’i parë si përshtaten.

Mungesat

Përqindja më e madhe lojtarëve ndodhen, dikush mungon prej shkollës apo kanë play out. Ne jemi jashtë datave zyrtare. Muçi vjen pak më vonë, Bozhani mungon se ekipi i tij merr pjesë në play out. Gjithsesi edhe emra të rinj që janë këtu, të jemi të qartë ne kemi parë një pjesë dhe ka ndryshime. Dikush e rrit, dikush e ul nivelin, por kjo nuk do të thotë se ne nuk i kemi në vëmendje. Ndeshjet i kemi në nëntor, do mundohemi të krijojmë bazën e ekipit. Dhe më pas të marrim më të mirët. Më të talentuarit gjithnjë do i mbështesim.

Unë mendoj se në Kombëtare nuk janë lojtarë por kandidatë, dhe ka alternativa. Disa element të kësaj radhe, duhen parë. Disa të tjerë nuk na mungojnë por janë bërë pjesë e U21 si Bullari dhe Ndrecka. Shpresoj të jenë pjesë e rëndësishme e U21, por në momentin që nuk e gjejnë hapësirën mund të kthehen pasi janë lojtarë të U19.

Përballja me Kosovën

Përballjet me Kosovën janë interesante dhe kanë qenë të luftuara, kjo i shërben rritjes së lojtarëve. Në 27 vjet në Shqipëri shqiptarët kanë pretenduar të largohen për të diçka më të mirë, por Kombëtarja i ka afruar. Jemi motiv që ata të vijnë dhe tifozët po ashtu. Shpresojmë që edhe shqiptarët e Kosovës, t’i bëjmë të vijnë te Shqipëria, por më pas çdo kush e ka në dorë vet.