Dani Alvesh: A vëmë bast me Kullën Eifel që Nejmar qëndron?

Mbrojtësi brazilian i PSG-së, Dani Alvesh është plotësisht i bindur që Nejmar nuk do të largohet nga parisienët aq sa është gati të vërë bast me çdo gjë të mundshme që kjo do të bëhet realitet. Edhe pse vetë trajneri Tomas Tuhel deklaroi sot se nuk kishte siguri që Nejmar e Mbape vazhdonin në kryeqytet, mbrojtësi as nuk e sheh atë të largohet nga Franca.

“A jam gati të vë bast një darkë se Nejmar qëndron te PSG? Kjo është pak! A vëmë bast Kullën Eifel? Mendoj se do të vazhdojë te PSG, mendoj se po. Nuk e ka kryer ende punën e tij këtu. Në jetë duhet të arrish objektivat, t’i bësh realitet dhe pastaj të bësh atë që të pëlqen”, tha Dani Alvesh në një intervistë për ESPN.

“Nejmar është në një periudhë tranzicioni, aty ku rezultatet nuk janë të pritshmet. Ai është maniak pas dëshirës për të arritur rezultatet. Ai nuk është i lumtur se nuk i erdhën rezultatet e pritshme. Nuk është çudi nëse i bën ofertë Reali, çdokush këtrkon më të fortët, ndërsa është i komplikuar një kthim i mundshëm i tij te Barcelona”, shpjegoi Dani Alvesh. /vipsport.al/