Daja: Flamurtari ka fanellë të rëndë, qëndroj këtu nëse ndryshojnë gjërat

Ilir Daja ka deklaruar se është gati të qëndrojë te Flamurtarit nëse situata financiare në klub ndryshon. Në “Gol pas Goli” ai konfirmoi se ndjehej mirë në Vlorë dhe nëse kushtet do të ndryshonin, ishte gati të vijonte punën e tij në këtë qytet.

“E para e kishim si qëllim që të mbaronim këtë kampionat meqë është ndeshja e fundit në Vlorë, do të doja që ta fitonim dhe këtë ia kushtoj të gjithë tifozëve dhe qytetit që na ka mbështetur edhe në momentet jo të mira. Kjo është veçanti e Vlorës. Kjo fitore shkon për ta. Sa i përket lojës kemi bërë pjesë të parë të kontrolluar se ishim në zotërim të topit në pjesën e parë dhe luajtëm në gjysmëfushën e tyre. Patëm rënie, por me të rinj në lojë do të kishte të tilla probleme, humbëm raste se kapëm Laçin në kundërsulm. Ishte ndërthurje e mirë e lojtarëve me eksperiencë me të rinjtë dhe besoj se e merituam fitoren dhe i shkon qytetit.

Krahas peshës kryesore që kanë mbajtur lojtarët e eksperiencës se 10 kisha në gjysmën e dytë të sezonit, ata që janë futur nuk kanë prishur performancën e sezonit. Kanë të ardhme të mirë, por duhet të rrinë me këmbë në tokë se kanë punë. Fanella e Flamurtarit peshon dhe qyteti për më tepër kërkon lojën e bukur.

Sigurisht që kemi bërë një punë të gjithë bashkë, jo vetëm unë si Ilir, por duke filluar nga lojtarë që ishin aktoret kryesorë të mirëmbështetur nga stafi, nga çdo strukturë. Kemi qenë të gjithë bashkë për të përballuar problemet që i dimë. E ardhmja ime? Zgjedhja e parë do të jetë Flamurtari por sigurisht nëse do të kemi ndryshim të situatës, do të pritet me qetësi, duke parë situatën. Ia kam kaluar mirë këtu dhe për edicionin e ardhshëm primar do të jetë vazhdimi me Flamurtarin nëse gjërat ndryshojnë.

Sigurisht që është një punë e dykahshme, ku nuk do ta ndaja meritën se kemi qenë grup. Kam pasur lojtarë që shpeshherë me përkushtim të motivonin të mos bëje asnjë moment të dozës së motivimit. Pas njëfarë kohe, nëse do të ulem të shkruaja, do të jetë edicion që do të jetë goxha i suksesshëm me gjithë ato situata që kemi pasur”, tha Daja. /vipsport.al/

more recommended stories