Çudi listash kuqezi, lojtarin e fton Edi Reja por nuk ka vend te Alban Bushi!

Listat e përfaqësueseve shqiptare kanë bërë shpesh të lindin dyshime mbi mënyrën se si hartohen dhe kriteret që merren për bazë për të ftuar futbollistë të ndryshëm. Edhe grumbullimet e fundit kuqezi, ato të trajnerit Edi Reja të përfaqësueses A dhe Alban Bushit të U21, nuk i shmangen dot një argumentimi të tillë. Gjithçka ka lidhje fillimisht me ftesën dhe më pas mospërfshirjen e djaloshit të ri të Tiranës, Jurgen Çelhaka.

Futbollisti në fjalë ka qenë pjesë e përfaqësueses U19 në vitin e kaluar dhe në këtë edicion 18-vjeçari është bërë pjesë e Kombëtares U20. Për të plotësuar numrin e futbollistëve në mënyrë që të bënte stërvitje sa më mirë në këto ditë, trajneri Edi Reja e përfshiu atë në listën e futbollistëve që zhvilluan një minigrumbullim para se të bëhet publike lista zyrtare për sfidat ndaj Islandës e Moldavisë. Asnjë gjë e çuditshme, me siguri, tekniku ishte sinjalizuar për potencialin e tij të mundshëm nga ndonjë prej bashkëpunëtorëve të stafit të tij shqiptar apo specialistëve të Federatës.

Ajo që bën çudi është që emri i Çelhakës nuk figuroi më pas në listën që trajneri i U21, Alban Bushi, publikoi për ndeshjen zyrtare me Turqinë dhe dy miqësoret me Uellsin. Në këtë pikë lindin dyshime të mëdha se si bëhen përzgjedhjet, nga një trajner apo një tjetër dhe sa mirëkuptim ka brenda FSHF-së. Duket e pabesueshme që trajneri i përfaqësueses A thërret dhe mban në stërvitje një 18-vjeçar e më pas ai i U21 nuk e grumbullon qoftë edhe për dy takimet miqësore. Në këtë mes, një prej të dyve ka marrë një vendim tërësisht të gabuar dhe i mbetet FSHF-së të gjejë se kush.

Njëkohësisht, duket e çuditshme se si vazhdohet të veprohet me emrat e lojtarëve të grumbulluar në U21. Ndërsa Bushi ankohet se nuk ka alternativa dhe futbollistët nuk i luajnë, mjafton të shohë emra si Rrapaj, Berisha, Çokaj apo Xhixha që luajnë rregullisht në Superiore për të kuptuar se ata mund t’i gjejë lehtësisht. Pa harruar këtu futbollistë cilësorë që luajnë jashtë si mund të jetë për shembull Lakti, kapiten i Fiorentinës që fitoi Kupën e Italisë dhe është pretendent për titullin kampion atje.

Për të evituar turpërime të ngjyrave kuqezi siç ndodhi me Andorrën, dikush duhet të fillojë të kërkojë llogari. /E.K./vipsport.al/