BOKS/ Uldedaj sfidon polakun: Shpallem kampion bote dhe rris peshën, gati për hapin e madh

Pak kohë më parë, Jurgen Uldedaj arriti të fitonte titullin kampion në federatën WBO në një ndeshje të zhvilluar në Tiranë, ndërkohë që sot do të ngjitet sërish në ring për një tjetër titull. Këtë radhë, Uldedaj do të sfidojë polakun Krzysztof Tuardovski në federatën WBC ku do të synojë titullin kampion bote.

Boksieri 21-vjeçar që në 10 ndeshje ka arritur të marrë 10 fitore nga të cilat 2 me ‘Knock out’ është i bindur se sot do të fitojë ndeshjen e radhës dhe do të provojë të futet mes më të mirëve e të rrisë peshën e tij. Këtë, Uldedaj e ka pranuar në një prononcim për “Klan” në prag të përballjes.

“Falë përkushtimit dhe punës së madhe që kam pasur gjatë kësaj kohe mu dha shansi që të garoj për titullin WBC junior, i cili them se është trofeu më i lartë sa i përket juniorëve. Pas moshës 24-vjeçare arrij të futem në top-10 e kësaj federate, e cila është më e rëndësishmja në boksin profesionist.

Synimet janë të shumta, por për momentin pretendoj që të mbroj këto tituj që kam dhe pse jo të shtoj dhe titullin e radhës. Që është po i njëjtë për nga rëndësia me këto dy që kam dhe pse jo të pushtojmë peshën ‘cruiser’ për sa i përket juniorëve”, tha Uldedaj. /VipSport.al/