“Blerja” e re kuqezi, Salihi: Tani kam më shumë përgjegjësi, me fat që e nisa me një trajner si Reja

Hamdi Salihi është një nga risitë e mëdha të përfaqësueses së re e cila vihet nën urdhrat e trajnerit Edi Reja për të vazhduar rrugëtimin e nisur keq nga Kristian Panuçi në kualifikueset e EURO 2020. Ish-sulmuesi i përfaqësueses i është bashkuar stafit të trajnerit italian dhe prej disa ditësh ka qenë përkrah tij si në përgatitjen e listës për dy sfidat e qershorit, ashtu edhe në terrenin stërvitor ku ka filluar puna me disa futbollistë të përfaqësueses.

“Është një kënaqësi gjithmonë e madhe për mua të jem pjese e ekipit kombëtar dhe është krenari. Ky rol është edhe përgjegjësi edhe më e madhe se të jem lojtar. Jam munduar gjatë gjithë kohës të jap ndihmën time edhe me njohuritë që kam e raportin me lojtarët që të përçoj idetë e duhura të trajnerit dhe të bëj më të mirën për përgatitjen e ndeshjeve kualifikuese”, tha Salihi në një prononcim për “SuperSport”.

Ai e cilësoi veten me fat që nis si asistent karrierën e trajnerit përkrah një emri shumë të njohur nga i cili ka çfarë të mësojë. “Fati im te kjo punë është që e vazhdoj direkt me një trajner të nivelit të lartë me një bagazh shumë të madh, duke e ditur që ka 35-40 vjet që trajnon pa ndërprerje. Por ai edhe ka një raport e komunikim të jashtëzakonshëm jashtë futbollit. Jam me fat që jam pjesë e këtij stafi për të punuar në vijim”, deklaroi ish-sulmuesi.

“Ne jemi munduar që nga dita e parë që kemi vazhduar punën me trajnerin e ri dhe stafin që të organizomë të dy ndeshjet, t’i përgatitim me detaje duke parë mundësitë dhe nivelin e kundërshtarit. Po punojmë çdo ditë. Kur të vijë edhe grupi i plotë do të përgatitim ndeshjen e parë që është më e  rëndësishmja e pastaj me Moldavinë. Ka të bëjë forma e lojtarëve por edhe përgatitja e klimës së duhur për një ndeshje të tillë”, janë fjalët e Salihit pas ditëve të para në stafin e përfaqësueses shqiptare. /vipsport.al/