Bedri Omuri: Disa punojnë për vete dhe jo për Tiranën, derbin e humbi për fajin e vet  

Tirana i ka komplikuar së tepërmi pozitat pas humbjes me Partizanin. Në ndeshjen e radhës me Kastriotit duhet të fitojë patjetër, sepse në ndeshjet me Laçin dhe Flamurtarin në fund nuk i dihet çfarë ndodh. Një nga legjendat e kësaj skuadre, Bedri Omuri, ka thënë në një prononcim për “RTSH Sport” se në klub ka njerëz që duket sikur punojnë kundër skuadrës:

“Ranë nga kategoria, u kthyen gjasmë me pretendime për kampion, por ja ku janë tani, duke luftuar për të mos rënë. Me sa duket, atje punojnë vetëm për vete dhe jo për Tiranën. Sepse nuk ka mundësi. As hile nuk i kanë bërë këtë sezon. Tirana është dukur një gjë e dobët, një skuadër pa karakter. Më vjen keq për presidentin Refik Halili, i cili ka hedhur lekë, por i ka hedhur në një gropë bosh.

Ata lojtarë që ka blerë Tirana, i kemi të rinjtë dhe shumë mirë mund të luajnë në ekip. Nuk besoj se ka bërë ndonjë gjë të keqe Ardi, por skuadra këtë brumë ka. Tirana ka humbur shumë penallti këtë sezon, ka lënë shumë pikë dhe diferencën e bëjnë pikët. Tirana e humbi vetë ndeshjen derbi me Partizani, është e pafalshme të pësosh ato gola.

Nuk ka ku shkon më turp të dalë Tirana përsëri nga kategoria. Ndoshta edhe gjendja psikologjike e ekipit nuk është e mirë, por besoj se Tirana do t’ia dalë në fund”, – ka thënë mes të tjerash ish-mesfushori bardheblu, Bedri Omuri. / Vipsport.al