Basketboll/ Akuza nga trajneri i Flamurtarit: Dy sportiste të Tiranës kanë kërkuar hashash në Vlorë

Basketbolli shqiptar duket se po përballet me situata të vështira dhe akuza jo vetëm kundrejt arbitrave dhe zyrtarëve të Federatës, por edhe për vetë basketbollistet femra. Trajneri i ekipit të femrave të Flamurtarit, Viron Toska ka ngritur akuza të rënda kundrejt ekipit të Tiranës, të cilët i akuzon jo vetëm se favorizohet nga Federata dhe arbitrat, por edhe se dy basketbolliste amerikane kanë kërkuar hashash në një ndeshje të luajtur në Vlorë. Këto akuza, Toska i ka bërë në emisionin ’24 sekonda’ në “RTSH”, duke shprehur të gjitha pakënaqësitë kundrejt këtij sporti.

“Nga 2003 e deri më sot, Flamurtari ka qenë gjithmonë në finale. U eliminuam nga Tirana dhe më vjen keq pasi do të doja një drejtues të Tiranës ose Presidentin e Federatës. Detyrohem të flas sot, pasi një javë më parë është hedhur baltë mbi Flamurtarin. Dua të them disa gjëra që janë në të mirë të basketbollit.

Është folur se zonja Mirza Alibegaj ka kërkuar një psikolog për të luajtur në Vlorë, por Vlora nuk është shquar si institucion psikologësh por ka vetëm psikiatri dhe e çojmë nëse do. Çdo trajner duhet të jetë vetë psikolog. Flamurtari ka fituar në shumë qytete larg Vlorës, siç edhe kemi humbur në Vlorë dhe kemi rikuperuar jashtë. Kemi kthyer edhe me diferencë 23 pikë në ‘Asllan Rusi’.

Me Tiranën kemi humbur me shtesë dhe problemin duhet ta gjejnë te vetja. Sa i përket ndeshjeve këtë vit, dihet si është futur Tirana në mënyrë të padrejtë dhe ka pasur mbështetje nga sekretari dhe vetëm Ponari ka qenë i paanshëm dhe nuk do dallavere. Mbështetja është nga një klan arbitrash që rrinë afër sekretarit.  Ka 7 palestra në Tiranë dhe ua japin arbitrave dhe përderisa stërviten aty, e favorizojnë Alibegajn. Që kur motra e Alibegajt u bë trajnere, duhet të jepte dorëheqjen.

Arbitrat që kanë bërë me porosi kundër Flamurtarit janë shpërblyer me vlerë monetare. 3 gjyqtarët që ishin në gjysmëfinale të Flamurarit ishin të nesërmen në Durrës dhe sikur të tjerët kanë vdekur. Vetë Alibegaj u dha ndeshje tjetër. Abritrat shkodranë kanë bërë çudira ndaj Flamurtarit dhe vetëm pse Flamurtari fitoi, nuk kanë gjykuar më. Në ndeshjet ndaj Flamurtarit, ka gjithmonë arbitra nga Tirana, Kasmi, Hoxha dhe Tiko janë arbitrat.

Nuk e di nëse hashashi quhet doping, por ka dy lojtare të Tiranës që pinë hashash dhe e them me garanci. Dy amerikanet kur kanë ardhur në Vlorë, kanë kërkuar hashash te njerëz të ndryshëm dhe për këtë e vë dorën në zjarr. Nuk e di është apo jo doping hashashi por me garanci ua them për amerikanet”, tha Toska. /VipSport.al/